Zinedin Zidan njihet si njeri i thjeshtë. i tillë si futbollist, i tillë tani edhe si trajner. Kurrë nuk është dëgjur ndonjë ofendim nga ana e tij për kundërshtarët, por gjithsesi dëshira për të fituar është më e madhe edhe sesa vetëpërmbajtja.
Trajneri i Realit, e di shumë mirë se Kristiano Ronaldo e ka nisur karrierën me Sportingun, rivalin që Madridi do të ketë sonte në Champions në Lisbonë. Trofembajtësve u mjafton edhe një barazim, rezultat që eleminon Sportingun, por Zizu shpreson që ylli i tij kryesor të jetë në superformë.
“Për Ronaldon shpresoj të luajë dhe të shënojë, – tha trajneri “merenges” duke qeshur në konferencën për shtyp, – edhe pse është kundër ish-ekipit të tij, shpresoj të jetë në maksimum, sepse në raste të tilla shënon 3 gola”.
Madridit për fat i kthehen nga dëmtimi kapiteni Sergio Ramos dhe sulmuesi kryesor, Karim Benzema.Gjithsesi, mungesat mbeten. Pepe, Kasemiro, Kros dhe Morata janë më të spikaturit, ndaj edhe trajneri Zidan tregohet i kujdesshëm.
“Gjëja më e rëndësishme për mua dhe për skuadrën është që të mendojmë se me asnjë ekip nuk do ta kemi të lehtë, – u shpreh Zidan, – . Shpresoj që lojtarët të jenë në formën më të mirë, pasi kjo ka më shumë rëndësi sesa vendosja taktike në fushë. Në ndeshjen e parë me Sportingut fituam me shumë vështirësi dhe besoj se kështu do të jetë edhe ndeshja e tanishme”.