Dy humbjet e fundit në ndeshjet e vlefshme për kualifikueset e Botërorit “Rusi 2018”, i kanë kushtuar stolin e trajnerit të SHBA-ve, Jurgen Klinsman. Në krye të kombëtares amerikane prej vitit 2011, Klinsman, trajneri gjerman ka arritur 55 fitore, 27 barazime dhe 16 humbje. Por dy humbjet e fundit, 4-0 ndaj Kosta Rikës të martën e kaluar dhe ndaj Meksikës 2-1 më 11 nëntor, sollën edhe shkarkimin e gjermanit.
Konfirmimi për shkarkimin e Klinsman ka ardhur nga vetë Presidenti i Federatës Amerikane të Futbollit. “Sot morëm një vendim të vështirë, duke ndarë rrugët tona me Jurgen Klinsmann, drejtorin teknik dhe trajnerin e ekipit tonë përfaqësues. Duam ta falënderojmë Jurgen për punën e madhe dhe kontributin e tij gjatë këtyre pesë viteve të fundit. Nuk i kemi harruar fitoret historike, duke përfshirë kalimin e fazës së grupeve në Kupën e Botës 2014, por kishte edhe gjëra të tjera të mira që nuk ranë në sy. Ai na bëri ta shihnim futbollin në një mënyrë tjetër dhe falë punës së tij jemi përmirësuar ndjeshëm. Por tani jemi të bindur, se duhet të ndjekim një tjetër drejtim”.