Jurgen Klop ka qenë një nga kundërshtarët më të ashpër të Ligës së Kombeve dhe të ndeshjeve miqësore të kombëtareve, kuptohet duke qenë në hall për dëmtime të lojtarëve të tij. Gjithsesi, këto lloj sfidash qenkan më të mira sesa mendon trajneri gjerman i Liverpulit, dhe këtë besohet se e ka kuptuar mbrëmjen e së martës.
Liverpuli luan mesjavën e ardhshme ndaj Paris SG, në një ndeshje vendimtare në Champions, dhe dy lojtarët kryesorë të francezëve, Nejmar e Kilian Mbape, pësuan dëmtime pikërisht në ndeshjet miqësore. Numri 10 i Brazilit u lëndua në ndeshjen e kontrollit ndaj Kamerunit, ndërsa sulmuesi i Francës, u nxorr nga loja para kohe në miqësoren kundër Uruguajit.
Nuk dihet nëse dyshja e fortë e sulmit do të rikuperohet për Championsin, por Klopi shpreson që kjo të mos ndodhë. Paris SG-Liverpul luhet në “Park dë Prinses”, ku vendasit mund të quhen favoritë për të fituar, ndërsa anglezëve u duhet një barazim, të paktën, pas humbjes së rëndë të pësuar në Beograd ndaj Crvena Zvezdës.
Sfidanti.al