Pep Guardiola është quajtur dhe vazhdon të mbahet si mjeshtri i futbollit të bukur, krijues dhe me gola. Gjithsesi, në Gjermani janë menduar dhe kanë ndryshuar disi mendim. Bundesliga, këtë sezon, ka 312 gola pas 11 javësh kampionat, që do të thotë 48 gola më shumë sesa vjet. “Një industri që rrit prodhimin 18 për qind, duhet të quhet në rrugë të drejtë”, shkruan “Bildi”.
Vini Shefer, trajner gjerman që sot punon në Teheran, shkruajti një mesazh euforik në UotsAp (ËhatsApp): “Më në fund po luajmë sërish futboll, nuk ka më cic-mic, lart e poshtë, më në fund portierët kanë shumë punë, më në fund nuk llogariten prekjet e topit, ky është futboll me gaz në maksimum”.
“Bildi” shkruan se futbolli i Guardiolës mund të luhet vetëm nga skuadra të nivelit shumë të lartë, si Barcelona, Bajerni apo Siti. Trajnerët, në ekipet e tjerë gjermanë, që u përpoqën të kopjonin stilin e tij, dështuan keq. Kohët kanë ndryshuar. Gjermania fitoi me “tiki taka” titullin botëror në 2014, por dështoi në Rusi, ashtu siç dështoi edhe Spanja.
Të katër klubet që janë mbi Bajernin në renditjen e Bundesligës luajnë futboll sulmues të drejtpërdrejtë. Dortmundi, Mynshengladbahu, Lajpcigu, Frankfurti. Bajerni, për momentin, është modeli i vjetër i “tiki takës”, ndonëse në Gjermani bëjnë kujdes të mos nxitohen, pasi bavarezët mund të kthehen përsëri.
Sfidanti.al