Oliver Kan për krizën te Bajerni i Mynihut: Kovaçi nuk ka plan!

Niko Kovaç ndodhet nën një presion të madh nga ana e medias e tifozëve të Bajernit dhe ai u rrit edhe më shumë mbas humbjes së fundit (3-2) të ekipit bavarez nga rivali i vet kryesor, Borusia e Dortmundit, që tani ka shtatë pikë më shumë se Bajerni.
Legjenda e Bajernit, ish-portieri Oliver Kan, në një deklaratë të tij të fundit lëshoi kritika në adresë të trajnerit kroat Niko Kovaç:
“Kovaçi është një trajner i ri, detyra e të cilit tek Aintrahti i Frankfurtit ishte që të fitonte pikë në ndeshje që nuk kishin shumë rëndësi për ekipin. Por te Bajerni nuk është e mjaftueshme vetëm që të fitosh të tria pikët, pasi këtë duhet ta bësh, duke luajtuar një futboll të bukur. Në pjesën e parë kundër Borusias, ne pamë një Bajern të kohëve të mëparshme që aplikoi stilin e tij karakteristik të lojës së tij, por, sidoqoftë, herë pas here, ai zhvilloi një lojë statike, duke ia lehtësuar detyrën kundërshtarit. Kjo ndodh, sepse trajneri nuk ka një plan dhe ide të qartë, ndërkohë që, në dallim nga ai (Kovaçi), trajneri i Borusias kishte koncept dhe e dinte se çarë bënte”.
Sfidanti.al