Kur mundet superfuqia, në Gjermani e shënojnë atë ditë në kalendar. Për futbollistët dhe stafin teknik të Dortmundit, suksesi 3-2 ndaj bavarezëve “u shënua” në mendje, pasi nuk do të harrohet lehtë, ndonëse trajneri Lysien Favre, si “ujk” i vjetër, nuk lejon shumë eufori.
“Ishte një ndeshje e çmendur, – tha Favre më pas, – Bajerni e nisi më mirë dhe për 25 minuta ne nuk po preknim top me këmbë. Gjithsesi, isha i bindur se ata nuk do të luanin gjatë me atë ritëm. Pas pushimit, ndryshuam disa gjëra dhe ndjeva se mund të fitonim”. Gjithsesi, zvicerani deklaroi se “ka ende shumë gjëra për të përmirësuar, ne nuk jemi ende aty ku duhet”.
Kapiteni Marko Rojs ishte njëri nga heronjtë më të mëdhenj të “murit të verdhë” në “Signal Iduna Park”. Sulmuesi shënoi dy nga tre golat dhe u shpreh se “ishte një ndeshje e madhe, një kënaqësi e vërtetë të ishe në fushë”. “Ne kemi shumë besim, por është shumë shpejt të flasësh për titullin, – vazhdoi kapiteni, – kemi një epërsi të mirë me pikë, por kampionati është i gjatë, dhe Bajerni ka shumë përvojë në një sezon të tërë”.
Sfidanti.al