Trajneri i Mançester Junajtidit, Zhoze Murinjo, tha se gjesti që ai bëri sapo mbaroi ndeshja (1-2) mes Juventusit dhe Junajtidit në Torino, ishte vetëm një përgjigje ndaj ofendimeve që ai kishte duruar gjatë të gjithë ndeshjes nga tifozët torinezë.
“Ata më ofenduan gjatë të gjitha 90 minutave. Unë erdha këtu që të bëj punën time. Nuk ofendova askënd. Me gjestin që bëra, unë lashë të kuptoj se doja t’i degjoja më mirë. Ndoshta, unë nuk duhet ta kisha bërë atë gjest dhe nuk do ta bëja, po ta kisha kokën të qetë. Por, kur më ofendojnë familjen, unë nuk mund të qëndroj pa reaguar”, deklaroi Murinjo mbas ndeshjes.
Murinjo është një figurë e urryer në Torino, që nga koha, kur ai drejtonte Interin, sidomos, më 2010, kur ekipi i drejtuar nga Murinjo dhe që ishte atëkohë rivali kryesor i Juventusit, fitoi tre tituj, kampionatin dhe kupën në Itali, si edhe Ligën e Kampioneve.
Sfidanti.al