Përfundon në barazim derbi i Milanos në Serinë A. Në një ndeshje me shumë emocione, Milani ishte më pranë fitores duke qenë dy herë në avantazh, por Interi arriti të merrte barazimin pikërisht në fund. Në prani të rreth 80 000 spektatorëve, u luajt një përballje e fortë, ku secila nga skuadrat nuk donte të humbiste dhe milanezët kaluan në avantazh në fund të pjesës së parë me golin e Susos. Pas pushimit, Interi rriti presionin dhe realizoi golin e barazimit me autor Kandrevën, por vetëm pas 5 minutash, skuadra e trajnerit Montela kaloi përsëri përpara. Autori ishte i njëjti, Suso, një nga lojtarët më të mirë në fushë.
Gjithsesi, interistët nuk u dorëzuan dhe krijuan disa raste, por u duk se nuk do të kishin fat. Gjithsesi, mesfushori kroat, Ivan Perishiç barazoi në minutën e dytë shtesë duke bërë që trajneri i tij, Stefano Pioli, të mos dilte i humbur në debutimin në stol. Barazimi nuk i bëri punë asnjërës prej skuadrave, me Milanin që mbeti 7 pikë pas Juventusit kryesues, ndërsa Interi është në vendin e 9-të me 15 pikë diferencë nga kreu i tabelës.