Reali i Madridit dhe pozicioni i trajneri të tij vazhdojnë të mbeten tema qëndrore diskutimesh në qarqet evropiane të futbollit. Hulen Lopetegi tanimë është shkarkuar, për shkak të një fillimi të dëshpëruar të Realit në këtë sezon të ri dhe si zgjidhje e përkohshme u gjend Santiago Solari, trajneri i ekipit B të “mbretërorëve”. Sido që të jetë, ai e filloi me fitore “punën” e tij të re në krye të Realit, duke mundur 0-4 ekipin modest të një lige të ulët spanjolle, Melilja, në kuadrin e Kupës së Spanjës. Por, sfidat e vërteta Solarin e presin në 10 ditët e ardhshme, kur atij do t’i duhet të japë një “provim” prej tre ndeshjesh, mbas të cilit, nëse ai do ta kalojë me sukses, mund të shpresojë se mund të bëhet trajner definitiv i Realit të Madridit.
Pra, siç vë në dukje media spanjolle, kryesia e klubit “mbretëror” i ka vënë Solarit si detyrë që të fitojë në tre ndeshjet e ardhshme kundër Valadolidit e Selta Vigos në La Liga dhe Viktoria Pëlzenit në Ligën e Kampioneve. Nëse Reali do të hyjë në një seri fitimtare ndeshjesh, atëherë, ka shumë mundësi që Solari të prezantohet edhe zyrtarisht si trajner i këtij klubi gjigant spanjoll.
Sidoqoftë, ndërkohë media spanjolle vazhdon të spekulojë me emra të tjerë që mund të ulen në stolin e drejtimit të Realit: Antonio Konte (kandidatura e tij duket se ka rënë), Maurisio Poketino (Totenhem) dhe Roberto Martinez (përfaqësuesja belge).
Sfidanti.al