Kujdes me Ikardin, mos e quani futbollist që vret… “peshkaqenët”

Mauro Ikardi është një nga sulmuesit më të mirë në historinë e Interit, pasi gjatë katër viteve ai ka shënuar 113 gola në të gjithë konkurrimet dhe është e logjikshme që për të të interesohen klubet e mëdhenj, midis tyre edhe Reali i Madridit që ka patur plane që ta blejë atë që sezonin e ardhshëm të transferimeve në janar.
Klubi “mbretëror” ka nevojë për një sulmues klasi që të jetë në gjendje të zëvendësojë Kristiano Ronaldon që u largua gjatë verës te Juventusi. Thuhet se skautët e Realit po e ndjekin nga afër lojën e Ikardit në çdo ndeshje të Interit, por në ndeshjen e fundit të Interit me Barcelonën ky futbollist argjentinas tregoi një formë që la shumë për të dëshiruar, duke i pakësuar shanset që të shkojë të luajë në “Santiago Bernabe”.
Ikardi ishte pothuajse “i padukshëm” në “Kamp Nou” në ndeshjen me Barcelonën dhe ai pati vetëm një rast, të cilin nuk e shfrytëzoi. Në disfavorin e tij flet edhe fakti se lojtari që e markonte atë, Lengle, ishte më i rrezikshëm sesa Ikardi që qëndronte larg bashkëlojarëve të vet, nuk kërkonte top dhe ndërkohë që, sa herë që e merrte topin, e humbiste atë.
Në këto kushte, vështirë se Mauro Ikardi i ka bindur skautët e Realit për cilësitë e tij futbollistike.
Sfidanti.al