“Dhuratë” për të varfërit, 10-15 mijë lekë për të parë kombëtaren

“Kur të vjen e keqja, hapi derën”. Kështu thotë shprehja popullore, dhe kështu duket edhe në sport. Një popull që merr jo më shumë se 200-300 mijë lekë të vjetër në muaj, dhe nja 40 a 50 mijë lekë ndihmë ekonomike, duhet të paguajë shumë për të ndjekur kombëtaren e tij në stadium.

E konfirmon çmimi i biletave për ndeshjen ndaj Skocisë në “Elbasan Arena”, caktuar dhe publikuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Në tribunat më të papërshtatshme, ato pas portave, çmimet e biletave janë 5 mijë e 7 500 lekë, ndërsa në tribunat “karshi”, pra ato tribuna që quhen zakonisht “popullore”, çmimin është 10 000 dhe 15 000 lekë për copë.

Në një vend si Shqipëria, njerëzit e thjeshtë as nuk mund të mendojnë të shohin ndeshjet e kombëtares në tribunën A apo B, pasi do të duhet të “shkundin” 40 000 lekë nga xhepat. FSHF njofton se tribuna VIP ka çmim bilete 60 000 lekë, por e vërteta është se të paktën një e katërta e stadiumit është “zonë VIP”, dhe dy të tretat janë vetëm për njerëzit që e kanë xhepin “të ngrohtë”.

Sfidanti.al