E vërteta duket se u zbulua më në fund. Prezantimi i bujshëm i Nejmarit tek Paris SG duket se paska qenë një ceremoni për fare pak vjet. Ylli brazilian mund të kthehet tek Barcelona, më shpejt sesa mendohet, ndërsa mediat besojnë se kanë zbuluar klauzolën e fshehtë në kontratën e tij.
Gazetat në Spanjë, dhe pas tyre edhe ato në Europë, shkruajnë se Nejmari, sipas kësaj klauzole, mund të vijë mbrapsht në “Kamp Nou” në verën e vitit 2020 për shifrën e rreth 200 milionë eurove.
Besohet se dëshira e numrit 10 është që të braktisë Parisin për Barcelonën, dhe që të luajë në krah të Lionel Mesit. Brazilianit 26-vjeçar po ashtu mendohet se i mungon konkurrenca në ligën spanjolle, sidomos ajo me Barçës e Realit, apo edhe Atletikos së Madridit, ndërsa në Francë, PSG nuk ka asnjë rival.
Gjithsesi, Nejmar ka si qëllim kryesor fitoren e Championsit, diçka që ai e bëri në 2015 me katalanasit, dhe që pak beson se mund ta arrijë në kryeqytetin e Francës. Edhe objektivi i tij i madh, fitorja e Topit të Artë dhe Çmimit të FIFA-s mund të arrihët më lehtë në “Kamp Nou”, në një klub të madh, ndërsa Mesi tashmë nuk mund të quhet në kulmin e karrierës për shkak të moshës që rritet gjithnjë e më shumë.
Nejmar nuk mund të thuhet se është dështim tek Paris SG, ku ka shënuar 39 gola në 41 ndeshje, e ka shërbyer 20 pasime për gol, ndërsa ka fituar gjithçka që mund të fitohet në Francë, 41 ndeshje, 39 gola, 20 asistë, Liga 1, Kupën e Francës, Kupën e Ligës e Superkupën e Francës.
Sfidanti.al