Tirana-Ze Maria, seria e fundit e “telenovelës së mjerimit”

Një tjetër spektakël me aktor kryesor numrin 1 të klubit. Tirana po fiton trofe që maten vetëm me dy gishta të njërës dorë, që nga viti 2009, por presidenti Halili është kthyer në mjeshtrin e ceremonive, duke e pasur tani një mënyrë jetese. Dalja përpara gazetarëve, duke pasur në krah emra të njohur trajnerësh apo ish-futbollistësh, quhet adrenalina e re bardheblu, edhe pse në stadiumin “Selman Stërmasi”, skuadra rrallë herë ka adrenalinën e duhur për të fituar ndeshjet.

I tillë, spektakli i radhës jo i pajtimit, por i largimit të Ze Marisë, emrit të madh të Interit dhe Brazilit, që u bë pjesë e fotografive të presidentit dhe e borderosë së tij prej miliona lekësh. Më parë, tek Tirana ishin dy nga trajnerët më të mirë të Superligës, Ilir Daja e Mirel Josa, ndërsa tani erdhi një legjendë bardheblu, heroi i fundit i dinastisë “Mema”, Ardiani.

Pavarësisht nga karakteri i fortë i Ardit dhe integriteti i tij absolut moral, vështirë se ai do t’ia dalë aty ku nuk mund t’ia dalë askush, dhe ku problemet të vijnë të shumta dhe nga të gjitha anët.

Përsa i përket klubit, ai do të vazhdojë të ekzistojë në një “botë irreale”, në një botë çudirash, në një shtet që ende ngjan më shumë me xhunglën, dhe ku mund të punosh pa numër llogarie, të jesh denoncuar në gjykata me dhjetëra herë, të të vijnë urdhëra përmbarimi po kaq herë, por ku institucionet nuk ndërhyjnë për të vënë rregull dhe drejtësi.

Tirana do të vazhdojë të jetë e sëmurë, një sëmundje që nuk është vetëm e saj, por e gjithë futbollit shqiptar, edhe pse ajo është përfaqësuesja më e spikatur, ashtu siç është më e spikatur në triumfe me 24 tituj kampion. Qenka fati i Tiranës i tillë, që të jetë rekordmene në të mirë e në të keq.

Sfidanti.al