Cmenduria në mbrëmjen e së hënës në një lokal, duket se do t’i kushtojë shtrenjtë Aleksandër Kokorin dhe Pavel Mamajev. futbollisti i Zenitit dhe ai i Krasnodarit, nën efektin edhe të pijeve alkoolike u bënë protagonistë të një sherri që kulmoi me sulmin ndaj një zyrtari të qeverisë ruse i cili u godit me karrike. Kokorin dhe Mamajev u ndaluan nga policia në Moskë, me futbollistët që u paraqitën në një nga komisariatet e kryeqytetit rus pas ultimatumit të dhënë nga forcat e rendit
Futbollistët akuzohen për thyerje të nenit 213 të Kodit Penal Rus për aktet e vandalizmit dhe rrezikojnë të dënohen deri në 5 vjet burg. Por telashet për lojtarët nuk mbyllen këtu. Kokorin dhe Mamajev nuk u mjaftuan me sherrin në lokal por e vijuan atë edhe jashtë tij duke vënë në shënjestrën e tyre, shoferin e një prezantueseje të njohur televizive. Nga kamerat e sigurisë në rrugë, dukej qartë se 4 persona , 2 nga të cilët ishin futbollistët sulmuan shoferin.
Ngjarja e ndodhur nuk është pritur aspak mirë nga klubet e Zenitit dhe Krasnodarit. Zeniti tërhoqi nga shitjet në dyqanet online të fanelës së Kokorin, ndërsa Krasnodari shkoi edhe më tej duke e pezulluar futbollistin ndërkohë që deklaroi se do ta ndëshkojë me të gjitha sanksionet e mundshme.
Por jo vetëm kaq, media ruse bën të ditur se si Kokorin ashtu dhe Mamajev rrezikojnë që të mbeten pa skuadër si dhe të përjashtohen nga skuadra përfaqësuese e Rusisë.
sfidanti.al