Formula 1 po përgatitet të presë pilotet femra; Lind kampionati W Series

Formula 1 duket se në të ardhmen do të ketë edhe pilote femra. Që nga viti 2019 do të garohet në W Series, kampionat i garave automobilistike që është ekskluziv vetëm për femrat. Një prej personave që e kanë promovuar këtë kampionat, është një emër i njohur i Botërorit të Formula 1, David Kulthard. Ideja e skocezit është në këtë kampionat të formohen pilote femra që në të ardhmen do të jenë në gjendje të garojnë në Formula 1.

Në kampionatin W Series që do të nisë në muajin maj të vitit 2019, do të jenë 6 gara që do të zhvillohen të gjitha në Evropë, në pistat më prestigjioze të saj dhe do të zgjasin 30 minuta. Në total do të jenë 18-20 pilote pjesëmarrëse qtë cilat do të kenë të njëjtën makinë, Tatuus të Formula 3.

Por për të siguruar pjesëmarrjen në këtë eveniment, kandidatet do të duhet të kalojnë një fazë seleksionimi rigoroze. Do të zbatohet një program testues në pistë, në simulator pa harruar edhe kryerjen e provave të tjera ku përfshihen edhe ato fizike. Të kualifikuarat do të stërviten nga një grup specialistësh ku përfshihen edhe Devid Kulthard dhe Adrian Njui. Për këtë kampionat është përcaktuar edhe një fond shpërblimi prej 1.5 milionë Dollarë me fituesen që përfiton 500 mijë Dollarë.

sfidanti.al