Duhej të ishte një mbrëmje për të festuar, dhe Gremio e “dogji” fare pasi arriti finale e Kupës së Brazilit në futboll. Kruzeiro u eleminua pas rezultatit 2-0 në të dyja ndeshjet, por ishte vajza e trajnerit që e dëmtoi skuadrën nga Porto Alegre, që duhet ta luajë jashtë fushe njërën nga finalet e kupës planifikuar për në stadiumin e vet.
Shkak u bë Karolina Portalupi, bija e trajnerit Renato Gauço, e cila jo vetëm u ul në stolin e rezervave në minutat e fundit, por edhe doli në fushë për të festuar kualifikimim. Gjykata e Lartë Sportive e Brazilit mori vendim për ta larguar Gremion nga stadiumi i saj për finalen, si dhe për ta gjobitur me 30 000 realë brazilianë (8 000 euro). Karolina është studente dhe modele, si dhe njihet si tifoze e hershme e ekipit nga Porto Alegre, por sjellja e saj nuk duhet t’i ketë bërë të lumtur tifozët e tjerë. “Gjykata nuk po dënon dashurinë e një babai për vajzën e saj, por një veprim i cili nuk është i lejueshëm”, shkruhej në vendim.