Murinjo thumb Vengerit: Titulli im 18 muaj larg, jo 18 vjet!

Zhoze Murinjo dhe Arsen Venger dihej që më parë se nuk ishin miq, por ishte menduar se kohët e fundit gjërat ishin qetësuar. Në asnjë mënyrë, jo! Si shpesh herë, ishte sërish Murinjo që nuk deshi të mbante gojën mbyllur dhe u mor me trajnerin kundërshtar. “Mendoj se Arsen Vengerit i jepet një respekt shumë i madh nga mediat, – u shpreh ai në prag të përballjes Arsenal-Mançester Junajtid, – kjo gjë nuk ndodh me mua. Titulli im kampion ka qenë 18 muaj më parë, jo 18 vjet më parë. Unë nuk shikoj të më jepet respekti që meritoj”.
Me shumë gjasa kjo ishte një fillim lufte psikologjike nga ana e portugezit kundër francezit, i cili e ka tabu Murinjon. Kjo sepse kurrë nuk ka ndodhur që Venger ta mundë trajnerin e tanishëm të “djajve të kuq” në Premier Ligë. “Nuk është se nuk më zë gjumi natën që nuk më respektoni, – sulmoi Zhozeja edhe gazetarët, – unë ndjek rrugën time. Dua titullin e katërt në Angli dhe të nëntin në karrierën time. Unë jam në klubin e duhur për ta bërë këtë gjë, veçse kam nënshkruar kontratë për 3 vjet, jo për një”.