Strakosha është super, por Roma dominon derbin me Lacion

Ja një tjetër derbi, nga të shumtët këtë fundjavë. Ishte dita e prezantimit të librit të Françesko Totit, dhe Roma e përshëndeti siç duhet ish-kapitenin duke triumfuar ndaj Lacios, e duke u rikthyer në shina në Serinë A. Formacioni i trajnerit Di Françesko ia doli, pavarësisht se pati përballë një portier të shkëlqyer, padyshim ndër më të mirët e kampionatit, si Tomas Strakoshën.

Numri 1 aktual i kombëtares shqiptare bëri pritjet e tij, madje jo edhe aq të pakta, por diferenca në fushë ishte e madhe. Gjithsesi, edhe Strakosha e bëri ndonjë gabim, por ishte edhe i pafat në rastin e golit të parë, duke u penguar nga mbrojtësi i skuadrës së tij, ndërsa Lorenco Pelegrini realizoi bukur me thembër.

Shqiptari dhe shokët e tij u duk sikur u shpëtuan nga gabimi i mbrojtësit të Romës, Facio, që i dha mundësi Çiro Imobiles ta shënonte golin e tij, por nuk ishte e thënë. Gabimet vazhduan, siç ndodhi në goditjen e dënimit të mjeshtrit Kolarov, kur muri lacial u hap, dhe Strakosha e pati të pamundur ta ndalonte gjuajtjen e serbit.

Në një derbi të fortë, Roma u tregua jo thjesht skuadra më e mirë në fushë, por sidomos ajo që e deshi më shumë fitoren. Verdhekuqtë ishin me shpatulla pas murit për shkak të rezultateve të fundit negative, ndaj nuk mund t’i lejonin vetes asnjë gabim tjetër. Të dyja kryeqytetaset vazhdojnë të jenë në pretendime për në Champions, ndonëse diferenca me Juventusin apo Napolin ende duket e madhe.

Sfidanti.al