Ka gola që bëhen vetëm për të fituar pikë, por ka edhe gola shndërrues që kthejnë armiqësinë në simpati. Pyetja, kur ka ndodhur, nuk vlen në këtë rast. S’ka nevojë të vrasim mëndjen, sepse mbetet i ngrehur në kujtesë goli me rofeshatë i Ronaldos në Torino, kur italianët në stadium dhe në shtëpi ku ishin, u çuan në këmbë, dhe duartrokitën veprën e bekuar të “armikut” të tyre. Tani, le të bëjmë një “rofeshatë shqiptare”, duke kapërcyer nga goli i Ronaldos tek “goli i madh” që përjetuam këto ditë.. Sapo është inaguruar kompleksi akademik i futbollit “Football Republic”, një kompleks befasues, që në bursën e lodhur të futbollit tonë mund të konvertohet me një gol të madh në favor të brezave. Një lëndinë përrallore më tri fusha të shkallëzuara, ku dritat do të ndizen në fshatin Barbas, si për të treguar se futbolli lind periferi për t’u ngjitur më pas në kullën e stadiumit të ri apo në stadiumin e kullës.
“Football Republic” provuam ta krahasonim me një gol të madh, sepse diktonte dhe meritonte një ndryshim në kodin e sjelljes, aq sa “armiqtë” e Redi Jupit, ish-shokët e Intitucionit të futbollit , ta përjetonin euro-mjedisin si një bashkpunim fatlum, të çoheshin në këmbë, ndofta edhe pa zemër, për të duatrokitur golin e “Republikës së Futbollit”. Ndofta edhe ky emër tundues, për disa zyrtarë, tingëllon provokues, ngaqë në një monarki futbolli nuk mund të ngrihet një republikë e lirë e topit . Qoftë dhe për fëmijët. Pale të shkosh pak më thellë, në ditët delirante të Asamblesë “, kur predikohej projekt-gënjeshtra e spikatur “Gjithçka për fëmijët” . Një projekt i guximshëm për nga ligësia dhe babëzia, sidomos në rastin e fushave pranë klubit “Dinamo” ku u përzunë qindra fëmijë që stërviteshin, për arsyen makute se në vend të tyre do të ngrihen zyrat e Federatës. Ato që do të kushtojnë sa dy komplekse “ Football Republic”, ndofta edhe më shumë, siç e do zakoni ynë financiar me stadiumet apo veprat, ku thuhet me të hedhur se fitues nuk janë shefat e sotëm, por tifozët e nesërm.
Gëzim Sinemati
Botuar ne gazeten “Panorama Sport”