Kovaç lë në stol ish-kampionin e botës, Bajerni vuan e fiton

E nisi Bundesligën me fitore, edhe pse mjaft të vuajtur. Bajerni i Mynihut nuk gaboi në start, në sfidën e parë ndaj Hofenhajmit luajtur në “Alianc Arena”. Kampionët triumfuan 3-1, por ishin bllokuar në barazim 1-1 deri 8 minuta para fundit, kur “armiku” Robert Levandovski, riktheu avantazhin me anë të një 11-metërshi.

Tomas Myler kishte shënuar së pari për ekipin e trajnerit Niko Kovaç, që debutoi në Bundesligë në këtë detyrë, por hungarezi Adam Shalai shtangu gati 70 000 tifozët në stadium kur kishin kaluar 12 minuta nga pjesa e dytë. Në fund, veterani Arjen Roben, që hyri në lojë si zëvendësues, fiksoi shifrat 3-1.

Kovaç ra në sy pasi nuk e pati problem të linte në stol ish-kampionin e botës, mbrojtësin e qendrës së kombëtares së Gjermanisë, Mats Humelsin, dhe në vend të tij aktivizoi Zylen, në krah të Boatengut. Gjithsesi, ende nuk është plotësisht e qartë e ardhmja e këtij të fundit, nëse do të jetë afër apo larg Bajernit.

Sfidanti.al