Është tepër i ri dhe për të u paguan 45 milionë euro, për shkak të një konkurrence të ashpër në Europë. Vinicius shihet si një nga shpresat e reja të Brazilit, një “perlë” e vërtetë, por ende e pashfrytëzuar nga trajneri i Realit, Hulen Lopetegi. Mediat në Spanjë, kanë ngritur një çështje “Vinicius”, pasi lojtari nuk luajti në Superkupën e Europës dhe as në ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Getafes.
Presidenti Perez mezi pret t’i japë një kënaqësi tifozëve, në mungesë të një blerjeje të madhe. Ai beson se publiku në “Bernabeu” do të jetë më i lumtur po ta shikojë Viniciusin në fushë, si një fytyrë e re, dhe si një nga talentet më të mëdhenj që erdhën në Europë këtë verë. Perez është i shqetësuar për numrin e vogël të tifozëve në stadium.
Po Lopetegi? Trajneri kërkon që Vinicius të përshtatet dalë nga dale, dhe të mos i japë më shumë përgjegjësi sesa mund të mbajë në këtë moment. Ai thotë se është i kënaqur me brazilianin, por gjithçka do të vijë në kohën e vet. Shpresohet vetëm që “përçarja” tek Reali, për rolin e Viniciusit, të mos thellohet.
Sfidanti.al