Kukësi pranë mrekullisë në Europë, portieri i mohon kualifikimin!

Mrekullitë në futboll ndodhin dhe shikuesit e paktë në “Elbasan Arena” thuajse e përjetuan një të tillë. Përfaqësuesi i fundit shqiptar në kupat kontinentale, Kukës, u eleminua pasi iu afrua shumë pranë një suksesi që dukej thuajse i pamundur.

Triumfoi 2-0 ndaj Torpedos së Kutaisit nga Gjeorgjia, në Ligën e Europës, e cila u shpëtua dy herë në fund nga portieri. Nëse formacioni i trajnerit Cungu do të kishte shënuar edhe golin e tretë, do të ishte kualifikuar për në plej of, pasi takimin e parë në Gjeorgji e kishte humbur me shifrat 2-5.

Cungu kërkoi nga lojtarët e tij që të kërkonin golin sa më shpejt, dhe ata ia dolën që në minutën e 28-të, duke e bërë më të mundshëm kalimin e turit. Nënkampionët e Shqipërisë luajtën ashtu siç pritej, duke krijuar mjaft raste, e duke qenë gjithnjë pranë portës kundërshtare. E vetmja anë negative ishte që në “Elbasan Arena” nuk kishte as 1 000 vetë për të shijuar një paraqitje të denjë europiane të ekipit të tyre.

Sulmuesi Rezhinaldo, i ardhur nga Laçi, ishte autor i të dy golave, gjithnjë me penallti, ndërsa sulmuesi gjeorgjan Xharia humbi një mundësi të artë në minutën e 66-të. Presidenti Gjici besohet do të jetë dëshpëruar nga ky largim, duke mos mundur as këtë vit të synonte kalimin në fazën e grupeve në Ligën e Europës, diçka që në Shqipëri e ka bërë vetëm Skënderbeu. Gjithsesi, ai ashtu si tifozët, duhet të jetë ndjerë krenar me skuadrën e tij.

Sfidanti.al