Mançester Siti duket se është përfshirë në një skandal racizmi. Tabloidi ‘Daily Mirror’ bën të ditur nisjen e hetimeve nga ana e skuadrës kampione të Premier Leagues për një prej punonjësve të saj. Bëhet fjalë për Din Ramsdejl, një prej trajnerëve të ekipeve zinxhirë të Citizens dhe njëkohësisht drejtuesin e grupit që zbulon talentet e reja, i cili është shprehur me një gjuhë diskriminuesve ndaj një prej futbollistëve, emri i të cilit nuk u publikua.
Mësohet se këto komente Ramsdejl i bëri gjatë një takimi me trajnerët e tjerë të akademisë së Mançester Sitit në muajin janar kur ai përdori epitetet ‘I madh, i zi dhe i shpejtë’. Njëri prej tyre nuk e ka fshehur aspak pakënaqësinë e tij për këto shprehje të Ramsdejl dhe menjëherë dërgoi në zyrat e Mançester Sitit një letër ankese ndaj tij.
Klubi anglez pranoi se gjuha e përdorur nga Ramsdejl ishte e papërshtatshme dhe ia bëri të qartë se ajo është rreptësisht e ndaluar nga politika e klubit.
sfidanti.al