Nuk ishte aq e famshme sa Larisa Latinina apo Nadia Komaneçi, por nuk binte poshtë tyre. Jelena Shushunova ishte një kampione e madhe e gjimnastikës, veçse lajmi i hidhur është se ajo u shua në moshën vetëm 49-vjeçare. Një stërtalent që shkëlqeu në Lojrat Olimpike të vitit 1988 në Seul, gjimnastja ish-sovjetike pati arritje të rralla.
Ajo u bë e pesta femër në gjimnastikën botërore që arriti të fitonte çdo titull, pra një Grand Slem, me arin olimpik, botëror dhe europian. Katër të tjerat kanë qenë Latinina, Çasllavska, Turishçeva dhe Podkopajeva, tri ish-sovjetike dhe një ish-çekosllovake.
Shushunova ishte ruse me origjinë hebreje, lindur në Leningrad, sot Shën Peterburg, qyteti ku edhe vdiq. Në Olimpiadën e 1988-ës në Seul mori dy vlerësime me notën 10, kur ishte vetëm 19 vjeç, dhe konkurroi me rumunen Daniela Silivash.
Sfidanti.al