Akuza brenda “shtëpisë”, Lenoks Ljuis: Xhoshua është një frikacak

Një ish-kampion i botës akuzon një kampion të tanishëm të botës në peshat e rënda të boksit profesionist. Lenoks Ljuis sulmon pa “doreza” Entoni Xhoshuan, duke e quajtur një frikacak, edhe pse nuk e përdor këtë fjalë. Akuzat vijnë nga brenda “shtëpisë”, pasi të dy kampionët janë britanikë.

“Është e qartë se Xhoshua nuk dëshiron të ndeshet me Diontei Uajlderin, – shprehet Ljuis, njeriu që mposhti Evander Holifildin dhe Majk Tajsonin, – ai duhet që ta marrë fatin në duart e veta, duhet që të nxisë agjentin e tij të rregullojë duelin me Uajlderin, pasi ky është momenti i duhur”.

Xhoshua u shpall kampion i botës në disa versione (IBO, IBF, WBA dhe WBO), pasi mposhti ukrainasin legjendar Vladimir Kliçko në “Uembli”. Uajlder është kampion i botës në WBC, por ka rekord pak më të mirë se Xhoshua (40 fitore në 40 ndeshje, ndaj 21 fitoreve në 21 ndeshje). Lenoks Ljuis thotë se Xhoshua, por edhe Uajlder, kanë një sfidant të rrezikshëm që mund t’i mposhtë, dhe ky është britaniku tjetër, Tajson Fjuri.

Sfidanti.al