Futbollisti më i mirë zyrtar në botë, Kristiano Ronaldo, mbas nëntë vitesh me Realin e Madridit, u largua vetë nga ky klub, ndërkohë që drejtori sportiv i “Zonjës së vjetër”, Bepe Marota, konfirmoi se Ronaldo vetë iu ofrua Juventusit. Sipas tij, Kristiano Ronaldo, iu ofrua vetë Juventusit, ndërsa aksionerët e klubit dhanë “dritën e gjelbër” për transferimin historik.
“Jam i lumtur, madje, shumë i lumtur. Meritën më të madhe për këtë transferim e kanë vetë lojtari dhe aksionerët e klubit. Ronaldo ishte i pari që kishte besim se transferimi i tij do të realizohej, madje, ai vetë e ndërmori nismën e pari. Ai zgjodhi Juven dhe, kur ne e kuptuam se mund ta shfrytëzonim këtë shans, aksionerët e klubit pranuan që ta mbështesnin marrëveshjen”, vuri në dukje Marota.
Sot u prononcua edhe trajneri i “bardhezinjve”, Masimo Alegri, që shprehu kënaqësinë e tij të madhe se do të punojë me Ronaldon.
“Ardhja e Ronaldos është një salto lart për cilësinë e të gjithëve. Kjo është diçka e jashtëzakonshme jo vetëm për Juventusin, por edhe për të gjithë ligën italiane”, vuri në dukje Alegri.
Sfidanti.al