Vetëm rekordmeni Hamilton mund të sfidojë (ende) Ferrarin

“U luta që t’ia dilja për ju”. Kështu u shpreh Ljuis Hamilton pasi fitoi vendin e parë në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Britanisë së Madhe në Silverston. Duket habi që e thotë këtë kampioni i botës, në timonin e makinës më të mirë të viteve të fundit, por kjo është e vërteta.

Hamiltonit iu desh të thyente rekordin e pistës, me kohën e re 1’25”892, në mënyrë që të linte prapa rivalin e tij të madh, Sebastian Fetelin, me më pak se 1 të dhjetën e sekondës. Të dyja makinat Ferrari ishin shumë pranë anglezit, me shokun e tij të skuadrës, Valteri Botasin, të shkëputur me mbi 3 të dhjetat e sekondës.

Ky ishte “pole position”-i i 76-të për 33-vjeçarin, një rekord botëror që ai vazhdon ta thellojë që kur kaloi rekordin e vjetër të Mikael Shumaherit (68). Po ashtu, Hamilton ka 50 “pole” me Mercedesin. Gjithsesi, ai do të duhet të fitojë në garën e sotme në Silverston, pasi ka ndodhur që ka humbur edhe pse ka fituar 4 vende të para radhazi në provat zyrtare. Fetel kryeson Botërorin e Formula 1, me 1 pikë më shumë sesa Hamiltoni.

Sfidanti.al