Kjo pavarësisht paraqitjes aspak të mirë ndaj Izraelit, rezultati 3-0 është humbja më e thellë e De Biasit në 5 vitet që trajneri drejton stolin e Kombëtares. Në 46 ndeshjet që ka udhëhequr kuqezinjtë, prej debutimit të 29 Shkurtit 2012 në miqësoren me Gjeorgjinë, tekniku italo-shqiptar ishte kujdesur që skuadra të rreshtohej në fushë për të pësuar sa më pak gola.
Në 17 humbjet e pësuara në total gjatë kësaj periudhe, Kombëtarja nuk ishte mposhtur asnjëherë me këtë diferencë golash. Madje as përballë gjigandëve europianë si Italia, Franca, Portugalia apo Zvicra e Austria.
E vetmja ndeshje në të cilën Shqipëria e De Biasit ka pësuar 3 gola, ishte miqësorja e humbur 3-1 përballë Ukrainës, më 3 Qershor 2016, sfidë përgatitore përpara pjesëmarrjes historike në Kampionatin Europian.