Drama e grupit B nxjerr duelet botërore, Spanjë-Rusi dhe Uruguaj-Portugali

U përcaktuan edhe çiftet e parë të turit të dytë. Në të tetat e finaleve do të Botërorit do të luajnë Spanjë-Rusi dhe Uruguaj-Portugali, pas përfundimit të ndeshjeve në grupet A dhe B. U desh një dramë e madhe për të vendosur se kush do të kualifikohej në grupin B, dhe se kush do të zinte vendin e parë.

Renditja ndryshoi disa herë, duke sjellë emocione të jashtëzakonshme deri në fund. Tronditjen e parë e dha Maroku i eleminuar që kaloi në epërsi ndaj Spanjës me rrjetën e Halid Butaibit në minutën e 14-të. Kjo nxorri portugezët të parët, dhe la spanjollët të dytët.

Sidoqoftë, të besuarit e trajnerit Hierro nuk vonuan dhe barazuan me Iskon, pas një kombinimi të mrekullueshëm me Iniestën. Spanja sërish doli e para. Megjithatë, në fund të pjesës së parë, erdhi ndryshimi tjetër, kur Kuarezma shënoi bukur për Portugalinë, duke e bërë të parën ekipin e Kristiano Ronaldos. Numri 7 humbi edhe penallti në pjesën e dytë, në mënyrë të pabesueshme.

Lëkundja e Spanjës u bë e plotë kur Maroku kaloi sërish në epërsi me Jusuf En-Nesirin, por drama e vërtetë ishte ruajtur në fund. Fillimisht, spanjollët rehabilituan veten me golin e Iago Aspasit, edhe pse u desh VAR-i për ta akorduar. Pozicioni i sulmuesit ishte i rregullt vetëm për çështje milimetrash.

Përmbysja për Spanjën u bë e plotë kur në stadiumin e Saranskut, Irani barazoi ndaj Portugalisë, duke e zbritur në vend të dytë. Karim Ansarifard realizoi me penallti, ndërsa iranianët patën mundësi madje edhe të fitonin dhe të kualifikoheshin, kur humbën një rast të pastër. Portugalia shpëtoi mirë, duke përfunduar me 5 pikë, po aq sa Spanja, por me më pak gola të shënuar.

Sfidanti.al