Rusia krenare për djemtë e saj, priste turpin erdhi lavdia

Hera e parë mund të jetë rastësi, por kur bëhen dy, ndryshon. Rusia i shtoi një tjetër fitore të madhe pjesëmarrjes në Botëror, 3-1 ndaj Egjiptit, pas asaj 5-0 ndaj Arabisë Saudite. Dakord, e ndihmoi kalendari, i dha dorë edhe nënvleftësimi që iu bë edhe nga tifozët vendas pas krizës së lojës dhe të rezultateve që i zbriti në vendin e 70-të në botë. Gjithsesi, 8 gola nuk shënohen vetëm me fat, pra kjo Rusi ka diçka brenda saj që e bën të fortë.

“Kombëtarja e Rusisë? 23 vëllezër”, ishin fjalët në stilin tipik të gjuhës ruse nga Artjom Xhiuba. Artisti i njohur rus, Rostislav Hait, në rolin e kolumnistit për gazetën “Sport Ekspres”, titullon “na fal, Stanislav Salamoviç”, duke i kërkuar falje trajnerit Çerçesov për mungesën e besimit deri në prag të Botërorit.

Trajneri e tregoi veten të zotin në përzgjedhjen e ekipit në të dyja ndeshjet. Ndaj Egjiptit, në sulm luajti shtatlarti Xhiuba dhe jo Smolovi. “Edhe nëse Smolov do të kishte shënuar në ndeshjen e parë, – tha ai, – do të hidhja në fushë Xhiubën. E kishim studiuar Egjiptin që kur u hodh shorti, sidomos në ndeshjen ndaj Uruguajit”. Rusia është praktikisht e kualifikuar, ndërsa kryesorja është që i dha krenari kombit të saj. Mediat theksonin se “tifozët kishin frikë se Rusia do të turpërohej në Botëror, ndërsa në të kundërt, po ndihet me lavdi”.

Sfidanti.al