Basleri nxehet me dy lojtarë, i sugjeron Lëvit: Hiqi nga formacioni!

Fotografia kontraversale e Mesut Ozilit dhe të Ilkaj Gundoganit me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, në përgjithësi, nuk u prit aspak mirë nga opinioni sportiv gjerman dhe dëshmi konkrete ishin edhe vërshëllimat në adresë të lojtarit të dytë në ndeshjen e fundit miqësore që “pancerat” zhvilluan në fushën e vet. Mesfushori në fjalë që luan me Mançester Sitin, u vërshëllua gjatë të gjithë kohës, sapo ai prekte topin, dhe me mendimin e përgjithshëm të tifozëve u bashkua edhe futbollisti legjendar gjerman, Mario Basler, që i dha liri të plotë gjuhës së tij, duke theksuar origjinën turke të të dy lojtarëve të lartpërmendur, por që luajnë me përfaqësuesen e Gjermanisë.

“Nëse Gundogani dhe Ozili do të vërshëllehen përsëri në ndeshjen e parë në Botëror, atëherë, Joakim Lëvi duhet të reagojë në favor të tifozëve. Ai duhet të heqë ata të dy nga formacioni dhe t’i lejë të ulur në stolin e rezervave. Ata vetë, vullnetarisht, e vendosën veten në një situatë të tillë dhe tani ata duhet të përgjigjen për sjelljen e tyre”, u prononcua Basleri në “Sport 1”, duke iu vërsulur më shumë Ozilit.

“Ozili është lojtari më i mbivlerësuar në botë. Ai ka luajtur 100 ndeshje me Gjermaninë, por ai vetëm se ndjek bashkëlojtarët e tjerë të vet në fushë dhe nuk bën asgjë të veçantë. Ç’është e vërteta, ai ka cilësi të jashtëzakonshme, por në ndeshje të forta ai humbet, thjesht, nuk duket asgjëkund”, vuri në dukje Basleri.

Sfidanti.al