Konor Mekgregor ka qenë një yll që gjithkush donte ta kopjonte. Irlandezi, sot 28-vjeçar, është një kampion absolut në artet e përziera marciale, dhe dallonte shumë nga shumë prej të mëdhenjve të boksit apo MMA-së. Një djalë i fortë dhe i guximshëm që sillej aq mirë në konferencat e shtypit, pa ulëritur, sharë apo kërcënuar me fjalë nga më të ndyrat kundërshtarët, siç kanë bërë të tillë si Majk Tajson dikur, apo disa të sotëm.
Për fat të keq, ky Konor Mekgregor nuk ekziston më. Në konferencën e fundit për shtyp, përpara ndeshjes ndoshta më të madhe të arteve të përziera marciale në histori, irlandezi ngriti lart një karrike dhe deklaroi se do t’ia thyente për koke kundërshtarit të tij, Edi Alvarez. Kjo, pas incidentit me një shishe uji plastike që ia hodhi rivalit të mëparshën, Nejt Diaz, dhe që i solli 75 000 dollarë gjobë nga Komisioni Atletik i Nevadës. Në konferencën për shtyp, ai e teproi fare duke thënë se “do t’ia shkatërroj fytyrën Alvarezit” dhe duke e ftuar atë me fjalët “eja, kapi këto k… të mëdha irlandeze”.
Në 13 nëntor, Mekgregor ndeshet për kampionatin UFC 205 dhe shpreson të bëhet i pari në MMA që të bashkojë dy tituj botërorë, Aktualisht, ai është kampion i botës në peshat e mesme në UFC, ndërsa ndaj Alvarezit ai do të ndeshet në kategorinë e peshës së lehtë. Kjo është hera e dytë që dy luftëtarë të peshave të ndryshme ndeshen mes tyre.
B. Kuka