Iniesta qëndron ulur vetëm në mes të fushës së stadiumit “Kamp Nou”

Andres Iniesta, 34 vjeç, që, ndoshta, është mesfushori më i mirë aktual në botë, luajti ndeshjen e fundit, atë të 674-t, me bluzën e Barcelonës kampione që mundi 1-0 Real Sosiedadin para rreth 90 000 shikuesve që, në fakt, kishin ardhur që t’i jepnin lamtumirën një futbollisti që luajti me ekipin katalonjas plot 22 vite. Mbasi Barcelonës iu dha kupa e kampiones së Spanjës, Iniesta mbajti një fjalim të shkurtër lamtumire në “Kamp Nou”:

“Këta ishin 22 vite të mrekullueshëm dhe unë e pata për nder që të mbroja ngjyrat e këtij këtij klubi që, për mua, është më i madhi në botë. Dua që t’i falënderoj të gjithë bashkëlojtarët e mi dhe juve të gjithëve që keni ardhur këtu. Dua që t’ju them se zemra ime do të qëndrojë gjithnjë këtu”, vuri në dukje Iniesta, ndërsa nëpër faqe tëposhtë i rridhinin lotët. Sesa të vështirë e kishte Iniesta që t’i thoshte lamtumirë Barcelonës, e dëshmon edhe fotografia, ku ai tregohet i ulur në barin e fushës së “Kamp Nout” edhe disa orë mbas mbarimit të ndeshjes.

Sfidanti.al