Kjo presupozohet të ishte edhe pika më e nxehtë e kampionatit, pasi do të luhen minutat e fundit për përcaktimin e verdikteve, por ne si gjithmonë jemi ndryshe. Prej kohësh kemi humbur futbollin në fusha, madje edhe fjalët që e shoqërojnë. Sot do të luhet një ndeshje që mund të vendosë shumë, Flamurtari – Partizani, ndërkohë që vlonjatët kanë kohë që heshtin, ndoshta edhe të lodhur për ta përballuar këtë sistem që të shkatërron nervat dhe xhepat. Skuadra nga bregdeti është bërë edhe një herë simbol i dështimit, ca sepse ky i është kthyer vitet e fundit edhe në forcë zakoni, por edhe sepse ka qenë një viktimë sistematike e kupolës drejtuese të FSHF-së. Ndeshja e Vlorës mund të quhet edhe derbi i të persekutuarve, pasi edhe Partizani mbetet te rreshtat e parë të listës së zezë të Federatës. Dhe duke i bashkëngjitur edhe dështimet sportive, përfundimi është ai klasiku… asnjë fjalë për të thënë, qoftë edhe për ata pak fanatikë të mbetur, të cilëve u intereson ende nëse do të luajë Hoxha në portë, apo çfarë do të bëhet me Çanin.
Në fakt, heshtja e futbollit, megjithëse është gjithmonë e bezdisshme, diku mund të konsiderohet e justifikueshme. Tek Vllaznia për shembull, nuk ka mbetur të nxjerrin nga goja asnjë tingull të përshtatshëm, aq më tepër që kanë një sezon të tërë që nuk kanë pothuajse asgjë në fushën e lojës. Janë tifozët ata që kanë filluar të flasin, të ankohen, të kërkojnë dikë që të vërë dorën në zemër, pasi më në fund e kanë kuptuar, se skuadra është e fundit që mund t’i shpëtojë nderin e fanelës. Ndërsa heshtja e djeshme e drejtusve teknikë të Kukësit ishte vërtetë e çuditshme. Verilindorët kanë qenë korrektë me publikun edhe kur skuadra e tyre kalonte momentet më të vështira të edicionit dhe ndoshta ky “dezertim” nga mikrofonët, ndoshta është bërë në respekt të kundërshtarëve shkodrënë, të cilët po vuajnë shpirtërisht dhe tani i rëndon edhe fjala. Kanë mbetur edhe 180 minuta për t’u luajtur dhe prej kohësh përjetojmë të njëjtin fund. Pas një zhurme shurdhuese që na shoqëron gjatë të gjithë vitit, gjithmonë largohemi kokëulur, pa thënë asgjë… dikush tashmë ka vendosur për të gjithë.