Izraeli po përgatitet për ndeshjen ndaj Shqipërisë duke pasur edhe mungesa në skuadër. Mediat hebreje bëjnë me dije se mesfushori Nir Biton u largua nga skuadra, pasi u përjashtua nga trajneri Elisha Levi, dhe besohet se nuk do të thirret më, në përfaqësuese, përsa kohë të jetë Levi trajner.
Kjo, pasi mesfushori i Sëlltikut refuzoi të kryente një ushtrim, me shumë gjasa si protestë kur mori vesh se nuk do të luante titullar në “Elbasan Arena”. Mungesa tjetër është ajo e portierit të dytë të ekipit, Ofir Marciano, i cili u dëmtua në stërvitje dhe nuk mund të jetë i gatshëm për sfidën e Botërorit. Në vend të tij, trajneri Levi thirri portierin e Izraelit U21, Boris Kleiman, veçse ky refuzoi, ndaj u grumbullua portieri Deni Amos që luan në Izrael me Petah Tikvën.
Skuadra izraelite ka 6 pikë pas 3 ndeshjeve të para në grup, pasi ka humbur 1-3 me Italinë në fushën e vet, ka fituar 2-1 në Maqedoni dhe ka mundur 2-1 Lihtenshtajnin në Izrael.