Skuadrat e Vllaznisë, shkodranët po protestojnë për të gabuarën

Për të ardhmen e skuadrave që përfaqësojnë Shkodrën, nuk vendosin më as fushat e lojës, madje në të kundërt janë gërmat që do të vendosin për rradhën që do të zënë në regjistrin e futbollit. Vllaznia B e ka fituar me sakrifica të jashtëzakonshme, të drejtën për të qenë pjesë e Kategorisë së Parë edhe sezonin e ardhshëm. Dje, në një finale kualifikuese të zhvilluar në “Niko Dovana” të Durrësit, ka mundur Orikumin pas ekzekutimit të 11 metërshave, ndërkohë që koha e rregullt përfundoi në barazim 2-2. Por ka shumë gjasa, që përpjekjet e një sezoni të tërë të mos jenë të mjaftueshme, pasi pikërisht kjo Vllazni mund të zbresë edhe një kategori tjetër më poshtë, pas një vendimi në tavolinë dhe vendin e saj ta zërë Vllaznia A, ajo e madhja, për të cilën tashmë po ndjen keqardhje e gjithë Shqipëria.

Sipas një rregullore që ekziston në të gjithë Europën, dy skuadra të një klubi nuk mund të luajnë në të njëjtën kategori dhe kështu që sipas apelit, i duhet B-së që t’i lërë vendin gërmës së parë të alfabetit. Një gjë e tillë është logjike, por paradoksi është se askujt në Shkodër nuk u po i vjen keq, që po penalizohet një pjesë e Vllaznisë, e cila e meritoi totalisht qëndrimin në kategorinë ku luajti. Dhe kjo, pikërisht nga një pjesë tjetër e saj, që nuk bëri asgjë për të ruajtur emrin e një klubi legjendë, madje kanë kohë që qahen dhe lypin ndihmë nga skuadra të tjera, duke mos pyetur as për dinjitetin e emrit që përfaqësojnë.

Sot në Shkodër është lajmëruar për një protestë të tifozëve përpara Bashkisë së qytetit, por nuk është e kuptueshme se kundër kujt do ta ushtrojnë të drejtën legjitime për të protestuar. Pse përpara Bashkisë dhe në këtë situatë, për çfarë mund të fajësohet kryetarja e institucionit? Dhe ironia vazhdon… Bashkisë së Shkodrës, thuhet se Vllaznia e këtij sezoni i kushtoi më shumë se 1 miliardë lekë të vjetra, shifër që nëse përdoret me kujdes, mund ta ndihmojë një skuadër të kampionatit shqiptar t’i afrohet titullit kampion. Ndërsa këtij ekipi nuk i mjaftoi as të garantonte qëndrimin në Superiore, në një kohë që ata të tjerët, të cilët ishin zgjedhur të luanin nën të njëjtin flamur, por një kategori më poshtë, kanë përballuar një sezon të tërë të mbushur me presione dhe padrejtësi, si dhe pa u paguar fare për gati një vit. Pikërisht për këta të fundit ka arsye për të protestuar, pasi ndaj kësaj skuadre janë treguar të gjithë mëkatarë, duke përfshirë edhe Bashkinë e Voltana Ademit. Për sa i përket asaj Vllaznisë që po zbret nga Superioria, thjeshtë duhet injoruar, si dhe në rendin alfabetik nuk mund të jetë më as A, apo B… por thjeshtë Zh.