Sherri Pogba-Nobël? Për Murinjon ishte veç një dashuri

Kishin kaluar 80 minuta pa asnjë problem (dhe pa asnjë gol), kur një ndërhyrje e Pol Pogbasë ndryshoi gjithçka në “Uembli”. Një sherr shpërtheu mes lojtarëve të Uest Hemit dhe Mançester Junajtidit, ku protagonistët kryesorë ishin pikërisht Pogba dhe Mark Nobël i londinezëve. Ata u kacafytën, dhe Nobël i nguli Pogbasë thonjtë në fytyrë, derisa ata u ndanë nga shokët e tjerë.

Dy lojtarët u ndëshkuan me të verdhë, të vetmit në ndeshjen e javës së parafundit të Premier Ligës, ndërsa trajneri i Junajtidit, Zhoze Murinjo, u përpoq ta anashkalonte atë që ndodhi. i pyetur pas ndeshjes, ai bëri shaka. “I ndoqa pamjet filmike, – tha ai, – dhe m’u duk sikur kishin rënë në dashuri. Përqafime e puthje, si dhe ndërrim të fanelave (në fund të ndeshjes), gjithçka ishte e shkëlqyer”.

Junajtid barazoi 0-0 në fushën e Uest Hemit dhe pika e fituar i siguroi matematikisht vendin e dytë, pa qenë i rrezikuar nga Totenhemi apo Liverpuli. “Mënyra më e mirë për të dalë në vend të dytë ishte duke fituar, – tha Murinjo, – dhe ne u përpoqëm, por përfundimisht e bëmë detyrën, morëm atë që na duhej. Kur nuk del dot kampion, më e mira e mundshmë është të dalësh i dyti”.

Sfidanti.al