Me ken shkodran të tana i ban ! Kjo shprehje që prej vitesh ka treguar gjenialitetin shkodran, ka marrë një kuptim tjetër kur flitet për futbollin, sidomos per ata që veshin fanellën e Vllaznisë. Kur topi i futbollit nuk është më në rrugën e lavdisë tradicionale, humori mbetet i vetmi ngushëllim për fanatikët e ketij besimi, saqë pranojnë se janë mësuar me përmbytjet e ujit, por nuk dinë “not” nëse i përmbyt edhe futbolli.Dhe cili futboll ? Sporti që e lindën në djepin e vet vet për t’u krenuar ndaj të tjerëve, pa e ditur se çfarë kurthi dot të sillte futbo-demokracia, loja që kurdiset pa parime, pa histori, por që buron shumë prapësi. Në Shkodër, prej dy vitesh, falë një skuadre që devijon dukshëm nga boshti moral i historisë, ka ndryshuar zakoni i madh i lojës me top: shkodranët dikur kavalierë të klasit të lartë, në këto momente tragjike mbijetese, duket sikur kërkojnë mëshirë. Kanë mbetur edhe 6 ndeshje për të shpëtuar nderin ose kanë mbetur edhe 6 ndeshje për të përjetuar ferrin…
6 ndeshje fatale, të cilat kanë ndryshuar edhe kursin e përjetimit, në qytetin që me dekada mbaje barkun me dorë, tani mbajnë zemrën me dorë . Fushata e mbijeteses për Vlazninë , si për tersin e madh , fillon me Laçin, një armatë që lufton me të gjitha armët , e dalluar për të deformuar me stil kundershtarët, varet si kurdiset kur je në pikë të hallit. Dhe më e bukura është se futbollistët e Vllaznisë, nga java në javë, janë krenuar me paratë që kanë marrë nga Bashkia, pa u bërë merak fare se po e blinin shumë shtrenjtë marshimin antihistorik drejt fundit të klasifikimit. Pyetja që kalon edhe muret e Shkodrës ka një dozë helmi : do të shpëtojë vetë ekipi shkodran apo për fatin e tij do të kujdesen “perënditë” e Superligës, ato që të zhysin e të mbysin me duart e tyre, por në fund të japin oksigjenin që të mbetesh gjallë…
Sfidanti.al