Rekordin e pikëve në një sezon të Premier Ligës e mban pikërisht ai. Zhoze Murinjo ka plot gjëra për t’u mburrur edhe në Angli, ndërsa në 2005, Çelsi i tij u shpall kampion me 95 pikë. As Arsenali i Vengerit dhe as Junajtidi i Fergusonit nuk arritën deri këtu, por Mançester Siti i Guardiolës mund ta thyejë rekordin, madje duket shumë e lehtë. “Qytetarët” kanë 87 pikë kur kanë luajtur 33 ndeshje, dhe në 5 takime të tjera u duhen vetëm 9 pikë për t’ia dalë, diçka që kjo skuadër mund ta bëjë fare lehtë.
Murinjo, sidoqoftë, nuk shqetësohet edhe aq nga rekordi që pritet t’i thyhet, por nga diçka më e madhe. Kur do të jetë ai në gjendje të mposhtë dominimin e Sitit? Tifozët e Mançester Junajtidit janë mësuar me tituj, po ashtu vetë portugezi, ndërsa “dera” duket e mbyllur për momentin. Antonio Konte e tha nja dy ditë më parë se “ky Siti mund të dominojë me vite”.
“Nëse Siti arrin të njëjtin numër pikësh edhe sezonin e ardhshëm, – u shpreh Murinjo, – nëse ata fitojnë 90 pikë e sipër, atëherë do të jetë sërish thuajse e pamundur. Këtë sezon, Junajtid bëri një kampionat të mirë, po ashtu Totenhemi apo Liverpuli, por Siti ishte në një nivel tjetër”. Duket e pabesueshme që këto fjalë i thotë krenari dhe i pamposhturi Zhoze, por realiteti është më i fortë edhe se karakteri më i fortë.
Sfidanti.al