Mëkat i vërtetë të humbasësh një nga lojtarët më të mirë, qoftë edhe për një muaj e gjysmë. Reali i Madridit nuk do ta ketë gjermanin Toni Kros në pjesën e mbetur të vitit 2016 për shkak se futbollisti ka pësuar një dëmtim. Thyerje kocke në këmbën e djathtë dhe “aufviderzehen” për pjesën e mbetur të sezonit deri në Vit të Ri.
Parashikimet më optimiste janë për 4 deri në 6 javë, pra duke e pasur shumë të vështirë të luajë jo vetëm në “El Klasiko” në Barcelonë apo në përballjet e Championsit, por edhe në Botërorin e Klubeve. Mallkimi tek Reali për yjet e mesfushës vazhdon, edhe pse kjo nuk e ka penguar të kryesojë kampionatin spanjoll. Me t’u kthyer nga dëmtimi Luka Modriç, ja ku “parkohet” Kros.
Mediat spanjolle njoftojnë se mesfushori shkoi normalisht nga Spanja për në Gjermani, ku u bashkua me shokët e kombëtares, por në mëngjesin e sotëm filloi të ndiente dhimbje, në të njëjtin vend ku mori një goditje në ndeshjen e La Ligës ndaj Leganesit. Mjekët e Gjermanisë e vizituan dhe nxorrën diagnozën që nuk i pëlqeu aspak madrilenëve, por edhe trajnerit të kombëtares, Joakim Lëv.
B. Kuka