Marko Rojs, a do t’ia dalësh të luash derbin me Bajernin?!

Mbeten vetëm pak ditë deri tek ndeshja, por njëri nga protagonistët kryesorë po vuan për të qenë gati. E kush mund të jetë tjetër përveçse “fatkeqi” Marko Rojs, ylli i shkëlqyer dhe tepër delikat i Dortmundit. Ai pësoi dëmtim në Ligën e Europës ndaj Salcburgut dhe u detyrua të bënte sërish paksa pushim, ndërsa po përpiqet të kthehet.

Për momentin, Rojs është parë duke bërë stërvitje individuale në kompleksin e Borusias, në krah të shokut të skuadrës Omer Toprak, dhe trajneri Peter Shtëger mbetet pesimist. “Stërvitja individuale nuk është stërvitje me skuadrën, – u shpreh ai, cituar nga “Bildi”, – pra, unë e shoh të vështirë për të shtunën. Le të shohim, por sidoqoftë, ne jemi të lumtur që Marko ka bërë përpara”.

Vetë Rojsi nuk është dorëzuar. Talenti i Dortmundit ka plot vullnet dhe karakter, ndërsa luajti 9 ndeshje radhazi pasi mungoi 8 muaj për shkak dëmtimi. Synimi i tij është të kualifikojë Borusian për në Champions dhe të jetë në Kupën e Botës me Gjermaninë. Gjithsesi, për momentin, trajneri Shtëger nuk jep shumë shpresë: “Gjendja nuk është përkeqësuar, por është përmirësuar, veçse nuk mendoj se është e mjaftueshme për Bajernin”.

Sfidanti.al