Euroliga luan finalet në Beograd, në qytetin e 93 titujve!

Nëse ka një qytet që mund të quhet i basketbollit në Europë, padyshim ai është Beogradi. Kryeqendra e dikurshme e Jugosllavisë dhe sot e Serbisë do të mirëpresë finalet e Euroligës (ligës së kampionëve në basketboll për meshkuj) dhe mund të mburret se klubet e tij kanë fituar 93 trofe kombëtarë dhe ndërkombëtarë në një periudhë shumë të gjatë, duke nisur me vitet 40-të.

Katër ekipe të ndryshëm, Partizani, Crvena Zvezda, OKK dhe Radniçki kanë triumfuar në 88 kompeticione jugosllave dhe serbe, si dhe në 5 kompeticione europiane. Vetëm treshja e madhe e Athinës, Panathinaikos, Olimpiakos dhe AEK kanë fituar më shumë (100 trofe), veçse duke nisur vetëm në vitet 90-të, dhe duke shfrytëzuar më shumë milionat e dollarëve dhe eurove, ndryshe nga beogradasit që u mbështetën tek shkolla e tyre unike e basketbollit.

Epoka e parë ishte e Zvezdës, me lojtarë të rëndësishëm të kohës si Gec, Kalember, Andrijasheviç apo Bjegojeviç. Më pas erdhi radha e OKK-së së krijuar nga “shenjtori” Stankoviç, që u udhëhoq nga yjet Radivoj Koraç dhe Sllobodan Gordiç. OKK e zgjati “hijen” e lavdisë edhe në vitet 60-të, i drejtuar nga “shenjtori” tjetër Aleksandar Nikoliç.

Do të ishte sërish radha e Zvezdës, përpara sesa të krijohej lavdia e Partizanit. Ylli i Kuq fitoi titullin në 1969 dhe në ekip dolën “luanët e rinj” si Dragan Kapiçiç, Zoran Slavniç apo Ljubodrag Simonoviç.

Më në fund, Partizani u ngjit në skenë në 1976 për të mos zbritur më. Trajneri Ranko Zeravica mori dy yje që do të linin gjurmë, si Drazhen Dalipagiç dhe Dragan Kiçanoviç. Nën drejtimin e Dushan Ivkoviçit, bardhezinjtë fituan sërish titullin më vonë, si dhe dy Kupa Koraç.

Kaluan disa vjet, derisa një tjetër brez i Partizanit ktheu titullin në 1987. Ata ishin Vlade Divac, Zharko Paspalj, Sasha Xhorxheviç, Goran Grboviç, Ivo Nakiç, Slavisha Koprivica apo Zheljko Obradoviç. Trajneri që i dha dorën e fundit ishte Dushko Vujosheviç. Partizani fitoi Euroligën në 1992, duke luajtur jashtë Jugosllavisë, arriti disa herë në fazën finale, por tani “stafetën” e ka marrë sërish Zvezda.

Ky është Beogradi, qyteti me 93 tituj, që lihet prapa vetëm nga Athina (100), ndërsa është përmbi Moskën e madhe të CSKA-së që ka 91.

Sfidanti.al