Murinjo beson se “lan hallet” me mbrojtësin e Realit të Madridit

Mbrojtja është gjëja që e shqetëson më shumë Zhoze Murinjon tek Mançester Junajtidi. Edhe pse për momentin mund të thuhet se problemet më të mëdha janë Pol Pogba dhe Aleksis Sançez, sërish pritet një “operacion fshesa” në verë, me largimin e disa lojtarëve difensivë si Ljuk Shou, Kris Smolling e Viktor Lindelof.

Objektivi kryesor i portugezit është Rafael Varan, mbrojtësi i Realit, të cilin ai e mori në “Bernabeu” në 2011 dhe të cilin e stërviti për dy sezone derisa u largua. Duket e vështirë që Madridi të mbetet pa njërin nga mbrojtësit titullarë, veçse mediat britanike shkruajnë se nëse do të paguheshin 50 milionë paund stërlina (rreth 57-58 milionë euro), klubi spanjoll do të pranonte. Hollësia tjetër është se Zhoze për momentin dëshiron të japë vetëm 40 milionë paund stërlina (45-46 milionë euro).

Varan ka një histori të gjatë me Anglinë, pasi Sër Aleks Ferguson e kërkoi në 2011, por dështoi, pastaj Murinjo e kërkoi kur shkoi për herë të dytë tek Çelsi, por edhe ai dështoi. Nuk dihet nëse kjo do të jetë “e treta e vërteta”. Trajneri i Junajtidit ka në plan edhe emra të tjerë në mbrojtje si Alderveireld të Totenhemit dhe Samuel Ymtitinë e Barcelonës.

Sfidanti.al