Legjenda Bredi nuk fsheh asgjë kur flet për Murinjon

“Fuqimisht nuk e pëlqej atë njeri dhe do të isha i lumtur nëse do të dështonte tek Man. Junajtidi”. Këto fjalë të furishme dhe krenare, aspak të modës së sotme “politikisht korrekt” i thotë një legjendë e futbollit si Lajëm Bredi (Liam Brady), dhe i thotë kundër Zhoze Murinjos. Ish-mesfushori i Irlandës, i Arsenalit, Juventusit, Sampdorias dhe Interit, deshi të ishte i ndershëm deri në fund me veten dhe lexuesit apo dëgjuesit e tij, duke e thënë “troç” mendimin e tij.

Përse vallë irlandezi fuqimisht nuk e pëlqen “njeriun” Murinjo? Vetë Bredi nuk kursehet me spjegimin. “Mjafton të shikoni mënyrën sesi luan futboll, – u shpreh veterani, – sesa e vështirë bëhet kur flet me mediat, sesi bën sherr dhe ofendon trajnerët e tjerë”. “Ishte gabim që Mançester Junajtidi e zgjodhi si trajneri, – vazhdoi Bredi, – ai nuk përshtatet me historinë e klubit dhe besoj se Bobi Çarltoni apo Aleks Fergusoni duhet të kenë pasur rezerva”.

Bredi shton se gjithçka që ndodh është për faj të Murinjos, pasi “kur Junajtidi fiton ai mendon se është meritë e tij, ndërsa kur skuadra humb, është faji i lojtarëve që nuk e dëgjuan trajnerin”. “Nuk jam i habitur që ai po dështon, e prisja diçka të tillë, dhe madje jam i lumtur pasi nuk e pëlqej aspak”, – ishin fjalët e Lajëm Bredit.

Sfidanti.al