Ua kemi ngrënë hakun skuadrave të tjera në Francë. Mario Baloteli dhe Nisa kanë qenë në qendër të vëmendjes (ku shkoi PSG?), por ja që ka edhe personazhe të tjera. Ndër ta një sulmues dikur aq i madh, por prej kohësh i harruar, Radamel Falkao.
Kolumbiani, njeriu që pritej të “pushtonte” Spanjën, duket se po ringjallet pas një periudhe të zezë dhe është Franca që po e ndihmon. Falkao shënoi dy gola në fitoren 6-0 të Monakos ndaj Nansit, duke qenë në ndjekje të kryesueses Nisë. Radamel ka shënuar 5 gola në 4 ndeshjet e fundit dhe i duhet thjesht të mos ketë dëmtime, si dhe të ruajë besimin në forcat e veta që të luftojë si i barabartë me SuperMarion.
Ky sezon vërtet është bërë tepër interesant në ligën e parë franceze, pasi kampionia në fuqi, Paris SG, është aktualisht në vendin e tretë. Nëse Zllatan Ibrahimoviç nuk do të kishte bërë “vetëvrasje” duke shkuar në moshën e “pensionit” në kampionatin më të lodhshëm të botës (Angli), atëherë personazhet do të kishin qenë më të shumtë.
B. Kuka