Reali i Madridit, tanimë, e ka humbur primatin në Spanjë, pas një krize, të cilën e shfrytëzoi Barcelona që përfitoi dhe që, tani, ka siguruar një epërsi të madhe të pikësh, pothuajse të paarritshme nga ekipet e tjerë. Në këto kushte, në klubin “mbretëror”, paralajmërohet një rikonstruksion i madh. Midis të tjerave, thuhet se nga klubi do të largohen Garet Bejli, Karim Benzema, ka mundësi edhe Luka Modriç dhe Isko, por, sidoqoftë, “benzinë zjarrit” i hodhi futbollisti i ri, Marko Asensio.
Ai, (pa)dashur, zbuloi se një hap larg transferimit për në Mançester Junajtid ndodhet Rafael Varan. Varani, në fakt, ka kohë që është vënë në shenjëstër të Zhoze Murinjos, por Asensio zbuloi se “djajtë e kuq” po përgatisin një ofertë për stoperin francez që, së shpejti, do të mbërrijë në “Santiago Bernabe”. Këtë lajm e publikoi “Diario gol”, duke iu referuar një burimi të afërt me Asension.
Varanin, në “Santiago Bernabe”, në fakt, e ka sjellë Murinjo, gjatë mandatit të tij si trajner i Realit. Tani, spekulohet se Junajtidi është gati të paguajë 60 milionë euro për Varanin.
Sfidanti.al