Nuk ka ende një version të qartë për të, veçse mendohet më e rënda. Davide Astori, ish-kapiteni I Fiorentinës, mundet edhe të jetë vrarë. Kështu thotë prokurori që po merret me çështjen, Antonio De Nikolo, I cili ka hapur hetim për “vrasje me paramendim”.
Gjithsesi, prokurori nga Udine thotë se “kjo lloj akuze bëhet sepse duhet bërë, ndërsa versioni më normal mund të jetë vdekje nga shkaqe natyrale”. “Është e habitshme që diçka e tillë t’i ndodhë një futbollisti profesionist, – vazhdoi De Nikolo, – një lojari që është I monitoruar rreptësisht nga ana e klubit, ndërsa nuk ka pasur asnjë shenjë paralajmëruese”.
Sidoqoftë, hetimi pritet të ndihmohet nga ana e autopsisë, që mund të japë të dhëna të vlefshme mbi atë që I ka ndodhur ish-futbollistit. Autopsia do të kryhet në orët e ardhshme në spitalin “Santa Maria” të Udines, ku u vendos trupi I pajetë I transportuar nga hoteli. Astori, 31-vjeçar, u gjet I vdekur në dhomën e tij të hotelit në qytetin e Udines, ku skuadra e tij Fiorentina, do të luante të dielën ndeshjen e radhës në Serinë A, ndaj ekipit vendas, Udineze.
Varrimi I ish-mbrojtësit të qendrës pritet të zhvillohet të enjten në Firence në Bazilikën e Santa Kroçes. Vdekja e Astorit shkaktoi tronditje të madhe në Itali dhe në Europë. Tifozët e Fiorentinës zhvilluan homazhe për ish-kapitenin e tyre, ndërsa mesazhe ngushëlluese janë dhënë nga shumë figura të shquara të sportit në të gjithë botën.
Sfidanti.al