Fatkeqësisht, sulmohen ata që bien më shumë në sy, pra futbollistët. Lojtarët e Hamburgut përjetuan një poshtërim të madh në fund të ndeshjes shtëpiake ndaj Maincit, me tifozët që iu vërsulën me sharje, vërshëllima e banderola ofenduese. “Faleminderit për asgjë, juve mercenarëve”, lexonte një parullë. Mes atyre që u ofenduan ishte edhe Mërgim Mavraj, i kombëtares shqiptare, ndonëse ai ishte vetëm në stol.
Rezultati 0-0 bëri që klubi i famshëm i Bundesligës të mbetet në vendin e parafundit, me 17 pikë, plot 7 pikë pikërisht larg Maincit, që mban pozicionin që të jep mundësinë të luash plej of me një ekipt të Bundesligës së dytë.
Skuadra e famshme pra, është shumë-shumë pranë rënie nga kategoria, tani që mbeten edhe 10 ndeshje deri në përfundim dhe që humbi shansin më të madh, dhe të vetmin, për të mundur rivalin direkt dhe për t’iu afruar në 3 pikë. Zemërimi i tifozëve të qytetit verior është plotësisht i ligjshëm, edhe pse fajtorët e vërtetë nuk janë lojtarët.
Hamburgu është skuadra e vetme gjermane që ka luajtur në çdo edicion të Bundesligës, që prej krijimit të saj në 1963, duke qenë kjo një krenari e tifozëve edhe ndaj atyre të Bajernit. Klubi bavarez nuk ka rënë, as ai, nga kategoria, por është ngjitur në Bundesligë disa vjet më vonë. Historia është e madhe për një ekip të udhëhequr nga Uve Zeler, Horst Hrubesh apo Feliks Magat, dhe që fitoi Kupën e Kampionëve në 1983, por tashmë kjo është e kaluara. E tashmja është shumë më pak e bukur.
Sfidanti.al