Padyshim është një fitues, një njeri i fortë që di të durojë presionin. Po ashtu një polemist që do të bënte me turp shumë analistë sportivë që mbushin studiot televizive. Për fatin e keq të emisioneve, Zhoze Murinjo ka zgjedhur profesionin e trajnerit dhe ka fituar shumë trofe, edhe pse ka kaluar mbrëmje si ajo në Sevilje, thjesht zhgënjyese.
Mançester Junajtidi i tij u vu poshtë nga Sevilja, ashtu si shpesh herë ekipet e tij janë lënë prapa për cilësi loje nga kundërshtarët. Sidoqoftë, edhe në një natë të tillë, Murinjo i bëri të tjerët të flasin për të. Së pari, me lënien në stol të Pol Pogbasë, dhe titujt e gazetave ishin “një problem 89 milionë paundë për Murinjon”. E qartë, që Zhoze nuk ka dëshirë që ylli i blerë për 105 milionë euro të mos jetë në fushë, por nga ana tjetër i pëlqen të japë një mesazh për të gjithë lojtarët.
Së dyti, trajneri i “djajve të kuq” sërish krijoi tituj gazetash dhe lajme kryesore televizive, me një veprim fare të thjeshtë dhe instinktiv. Ai përqafoi një gazetar pas një pyetjeje direkt pa ndeshjes, duke i thënë se kjo pyetje i pëlqeu shumë.
Ja pra, edhe pse Zhoze nuk është “dashnor i futbollit të bukur”, sërish ai mbetet popullor dhe mediatik, diçka që i bën mirë trajnerit, por edhe Mançester Junajtidit.
Sfidanti.al