Një natë e ndyrë për Mançester Junajted në Turqi, nga ato që turqit, shpesh, rezervojnë për ekipet me yje. Kanë humbur ndeshjen, kanë humbur Pol Pogba dhe Mançesteri mund të humbasë edhe Zllatanin për shkak të një gjesti fatal. Jo, jo, me futbollistin që kapi prej fyti, sepse ajo paska kaluar pa u vënë re. Suedezi ka shkuar edhe më tej, ka këprcyer orbiten e sjelljes, kur ka shtyrë me dorë arbitrin e ndeshjes, serbin Maziç, i cili kishte ardhur për të ndërhyrë pas zënkës me Kjaer.
Me ndihmën e dorës së djathtë, zoti Maziç, ka tentuar të frenojë “uraganin” suedez, dhe për tersin e një mbrëmjeje të gabuar, Ibra ka shtyrë dorën e arbitrit me prepotencë të dukshme. Kjo mjafton që komisioni i disiplinës të dënojë Ibrën, që kishte marrë një karton të verdhë në një aksion të mëparshëm.